Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me arkitektët dhe urbanistët në proceset e planifikimit dhe zhvillimit urban të qytetit.
Në një postim publik, pas pjesëmarrjes në promovimin e librit “Fragmente të Arkitekturës Bashkëkohore Shqiptare” në Shkup, Mexhiti vlerësoi kontributin e arkitektëve shqiptarë në pasurimin e trashëgimisë arkitekturore dhe në formësimin e hapësirave urbane.
Libri prezanton punën e 49 studiove arkitekturore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në kuadër të aktivitetit u prezantuan edhe punimet e studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin “Nënë Tereza”.
Duke folur për zhvillimet në Çair, Mexhiti përmendi disa projekte infrastrukturore, përfshirë rrugën “Ferid Murati”, bulevardet “Mit’hat Frashëri” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe rivitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Ai theksoi se ndërhyrjet infrastrukturore në Çarshi duhet të shoqërohen me ruajtjen e zejeve tradicionale dhe karakterit të saj historik.
Ndër projektet e rëndësishme u përmend edhe ndërtimi i kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, të cilin Mexhiti e cilësoi si një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës arsimore në këtë pjesë të Shkupit.
“Si kryetar i Komunës së Çairit, dua ta forcojmë bashkëpunimin me arkitektët dhe urbanistët. Përvoja e tyre duhet të na ndihmojë që në fillim, kur përcaktojmë çfarë i duhet qytetit dhe si do të përdoren hapësirat e tij”, ka shkruar Mexhiti.
Në fund, ai ka përgëzuar autorët e librit, Armand Vokshi, Blerta Vula Rizvanolli dhe Besian Mehmeti, si dhe ka falënderuar për kontributin në organizimin e këtij aktiviteti.



