Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka bërë të ditur se lufta kundër bixhozit online po vazhdon, ndërsa në vendimin e ri për bllokimin e platformave të paligjshme janë përfshirë edhe 104 faqe të tjera.
Me këtë vendim, numri i përgjithshëm i faqeve të bixhozit online të përfshira në procesin e bllokimit ka arritur në 462.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Durmishi theksoi se angazhimi për të parandaluar përhapjen e bixhozit online nuk do të ndalet, duke e cilësuar këtë dukuri si një rrezik që prek drejtpërdrejt familjet dhe veçanërisht të miturit.
Ai nënvizoi se qasja e lehtë në platformat e kumarit përmes telefonave dhe internetit paraqet shqetësim serioz, ndaj institucionet do të vazhdojnë me hapa konkretë për kufizimin e tyre.
„Këtë sëmundje të keqe të kumarit në telefon, hap pas hapi, do ta heqim, meqë është rrezik që prek drejtpërdrejt çdo familje dhe ua bën bixhozin lehtësisht të arritshëm edhe të miturve. Këtë nuk do ta lejojmë!”, ka deklaruar Durmishi.
Ministri theksoi se beteja kundër bixhozit online do të vazhdojë, duke shtuar se çdo platformë e paligjshme e bllokuar nënkupton një mundësi më pak për përhapjen e kumarit në familjet e qytetarëve.



