Kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamet Murtezi, ka reaguar ndaj kryetarit të Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murtezi ka përdorur tone të drejtpërdrejta ndaj Dimitrievskit, duke vënë në pikëpyetje peshën e tij politike në Qeveri dhe Kuvend.
“Nejse, Maksi është i madh vetëm me trup, për çështjet në Qeveri e në Kuvend, goxha i vogël”, ka shkruar Murtezi.
Ai ka kritikuar edhe, siç e cilëson, zhurmën politike që Dimitrievski prodhon herë pas here së bashku me bashkëpartiakët e tij, duke shtuar se kjo nuk e rrit ndikimin e tij në skenën politike.
“Zhurma që herë pas here prodhon me shokët e partisë nuk e rrit fare në mejdanin e politikës, kot i jep zor e shitet ‘patriot’”, thuhet në reagimin e Murtezit.
Në fund të postimit, Murtezi ka lënë edhe një porosi, duke paralajmëruar se koha do ta dëshmojë vlerësimin e tij.
“Koha do ta dëshmon këtë!”, përfundon reagimi i tij.
Reagimi vjen në kohën kur Dimitrievski ka deklaruar se përderisa ZNAM është pjesë e Qeverisë, provimi i jurisprudencës do të mbahet në gjuhën maqedonase.



