Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili ka deklaruar se përderisa partia e tij është pjesë e Qeverisë, provimi i jurisprudencës do të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Beqiri thekson se Kushtetuta dhe ligjet e Maqedonisë së Veriut nuk janë ekskluzivitet i asnjë pale dhe se ato nuk mund të përdoren si instrument për të demonstruar supremaci etnike në një shtet multietnik.
Ai akuzon Dimitrievskin se po i përdor temat e ndjeshme etnike për interesa të ngushta politike dhe për të mbuluar, siç shprehet ai, dështimet politike dhe rënien e rejtingut të partisë ZNAM.
“Koha e shovinizmit, e etnonacionalizmit dhe politikës përjashtuese ka kaluar”, thekson Beqiri, duke i bërë thirrje liderit të ZNAM-it që, nëse nuk është i gatshëm të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit, të largohet nga Qeveria.
Beqiri gjithashtu thekson se avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe nuk duhet të shndërrohet në objekt përplasjesh politike, ndërsa shton se askush nuk ka mandat të nxisë ksenofobinë dhe urrejtjen ndërmjet qytetarëve.
“Askush nuk të ka dhënë mandat për të nxitur ksenofobinë dhe urrejtjen mes qytetarëve, për të prodhuar konflikte politike dhe për të krijuar tymnajë sa herë që duhet të japësh llogari për premtimet dhe rezultatet e qeverisjes”, thuhet në reagimin e kryetarit të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri.



