Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Bërvenicës që të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin kandidatin shqiptar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se kjo garë tejkalon përkatësitë partiake dhe ka një dimension të qartë kombëtar.
Përmes një statusi publik, Dauti e ka cilësuar Bërvenicën si obligim, mision dhe amanet, duke theksuar se vota për kandidatin shqiptar është votë për dinjitetin dhe barazinë e shqiptarëve në vend.
Ajo ka nënvizuar se të njëjtën thirrje do ta bënte edhe nëse në raundin e dytë do të ishte një kandidat tjetër shqiptar, duke theksuar se interesi i Bërvenicës duhet të jetë mbi interesat partiake.
“Bërvenica është mbi partitë politike!”, ka shkruar Dauti, duke shtuar se gara zgjedhore në këtë komunë ka një dimension të qartë etnik, në një realitet ku, sipas saj, edhe vendimmarrja institucionale shpesh bëhet mbi baza të tilla.
Dauti është ndalur edhe te premtimet për investime, duke rikujtuar se investimet publike realizohen nga taksat e qytetarëve dhe jo nga xhepat e politikanëve. Ajo ka kundërshtuar paraqitjen e investimeve shtetërore si favore apo mëshirë ndaj shqiptarëve.
“Mos lejoni që detyrimi i shtetit për barazi në trajtim, në çdo aspekt, përfshirë edhe investimet, t’ju shitet si mëshirë apo si lëmoshë”, ka theksuar deputetja.
Në fund, Dauti u ka bërë thirrje qytetarëve të Bërvenicës që të marrin pjesë masivisht në votime, duke e cilësuar çdo votë si dëshmi të peshës politike dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Mesazhi i saj përfundimtar është se qytetarët shqiptarë të Bërvenicës duhet të trajtohen me barazi dhe dinjitet, si pjesë e barabartë e Maqedonisë së Veriut.



