Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, kanë pritur në Qeveri kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Sali theksoi rëndësinë e lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovës, të cilat, sipas tij, janë të rrënjosura në historinë, gjuhën dhe kulturën e përbashkët.
Ai vlerësoi se këto lidhje përbëjnë një vlerë të rëndësishme që bashkon dy vendet dhe nxit krijimin e urave të reja të bashkëpunimit në interes të qytetarëve.
Sali gjithashtu riafirmoi përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe për avancimin e rrugës evropiane, me synim krijimin e më shumë mundësive, zhvillimit dhe sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve.
Takimi vjen në kuadër të rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve fqinje dhe forcimit të lidhjeve politike e shoqërore mes tyre.


