Kryeministri i Kosovës vlerëson rezultatin preliminar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke e cilësuar si arritje të rëndësishme rezultatin e “Koalicionit Shqiptar”, i cili garoi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Përmes një statusi, Kurti bëri të ditur se koalicioni ka marrë gjithsej 27.230 vota, të cilat, pas aplikimit të koeficientit prej 35 për qind për pakicat kombëtare, përfaqësojnë ekuivalentin e 36.761 votave për përllogaritjen e mandateve.
Sipas projeksioneve preliminare të përmendura nga kryeministri, “Koalicioni Shqiptar” ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë, ndërsa mbetet në garë edhe për mandatin e tretë.
“Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar”, ka shkruar Kurti, duke uruar qytetarët dhe subjektet politike shqiptare që kontribuuan në krijimin e listës së përbashkët.
Në reagimin e tij, kryeministri kosovar ka komentuar edhe zhvillimet e tjera politike në Serbi. Ai ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar publikisht humbjen përballë Listës Studentore, ndërsa ka theksuar se edhe lista e Ivica Daçiqit, sipas projeksioneve preliminare, mbetet nën pragun zgjedhor prej 3 për qind.
Rezultati i “Koalicionit Shqiptar” vjen pas bashkimit të subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, me synimin për të rritur përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Megjithatë, numri përfundimtar i mandateve pritet të konfirmohet pas përmbylljes së procesit të numërimit dhe shpalljes së rezultateve zyrtare.



