Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka pritur në një vizitë vëllazërore Bekim Jasharin, me të cilin ka bashkëbiseduar për historinë kombëtare, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve, me theks të veçantë te arsimi shqip dhe kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Gjatë takimit, Mexhiti dhe Jashari kanë diskutuar për rëndësinë e investimeve në arsim dhe për rolin që ky projekt pritet të ketë në zhvillimin arsimor, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Një moment i veçantë i vizitës ishte edhe vizita e përbashkët në kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”, projekt të cilin Mexhiti e cilësoi si historik për arsimin shqip dhe me rëndësi të veçantë për shqiptarët në Shkup.
“Shqipja, shqiptari dhe Shkupi janë historikisht të lidhur, ndërsa tashmë e ardhmja ka një dimension të ri kulturor e kombëtar”, theksoi Mexhiti në statusin e tij.
Ai shprehu kënaqësinë për takimin me Bekim Jasharin, duke vlerësuar rëndësinë e lidhjeve vëllazërore dhe të bashkëbisedimeve për çështje me interes kombëtar.
Në fund, Mexhiti e falënderoi Jasharin për vizitën, duke theksuar se dyert e Komunës së Çairit janë gjithmonë të hapura për familjen Jashari, të cilën e cilësoi si një simbol të rëndësishëm të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.



