Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, pasi kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e tij, duke rikujtuar një sërë rastesh të rënda që kanë shënuar periudhën e qeverisjes së kësaj partie.
Iseni ka akuzuar BDI-në për heshtje dhe mungesë përgjegjësie politike për ngjarjet që, sipas tij, kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Në reagimin e tij, ai ka përmendur rastin e Sopotit, rastin “Monstra”, djegien e dyqaneve shqiptare, vdekjen e Rexhail Qerimit në burg, vrasjen e Harun Aliut dhe atë të Xhemail Rexhepit, i njohur si Komandant Shqiponja.
Zëvendësministri Iseni ka rikujtuar gjithashtu fyerjen e shqiptarëve me termin “indijanci”, duke vënë në pikëpyetje veprimet dhe përgjegjësinë e BDI-së gjatë dy dekadave të saj në pushtet.
“Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çka bëtë ju? Asgjë. Heshtët!”, është mesazhi i Isenit drejtuar BDI-së.
Ai ka theksuar se përpjekjet për t’i fshirë këto ngjarje nga kujtesa e qytetarëve janë të kota, duke e cilësuar BDI-në si një parti me shumë përgjegjësi politike të pazgjidhura.
“Sado që mundoheni t’i fshini me gomë nga memoria kolektive e shqiptarëve, nuk do t’ia dilni. Nuk do t’ia dilni, sepse shqiptarët ju mbajnë mend mirë. Ju jeni parti me shumë mëkate, fund e krye”, ka thënë Iseni.



