Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka njoftuar se gjashtë zyrtarë policorë do të suspendohen dhe ndaj tyre do të nisë procedurë disiplinore, pas parregullsive të konstatuara lidhur me ngjarjen e 7 tetorit në Shkup.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Iseni bëri të ditur se Kontrolli i Brendshëm, pas shqyrtimit të incizimeve, deklaratave të dëshmitarëve dhe kontrolleve të kryera, ka konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e punonjësve policorë.
Sipas tij, rasti nuk do të përfundojë vetëm me masën e suspendimit, pasi tashmë po veprohet edhe në bazë të urdhrave të prokurorive kompetente për ekspertizën dhe dokumentimin e plotë të provave.
Këto prova pritet të shërbejnë për përcaktimin e përgjegjësisë eventuale penale të personave të përfshirë.
Iseni theksoi se përdorimi i forcës në kundërshtim me ligjin është i papranueshëm, duke nënvizuar se as uniforma policore, as funksioni dhe as përkatësia nuk mund ta përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit.
“Gjashtë policët do të suspendohen, ndërsa ndaj tyre do të fillojë procedurë disiplinore”, ka bërë të ditur Iseni.
Ai shtoi se besimi i qytetarëve në polici mund të ruhet vetëm përmes profesionalizmit dhe përgjegjësisë për çdo shkelje të konstatuar.
“Qytetarët meritojnë siguri, dinjitet dhe një polici që e ushtron autoritetin me profesionalizëm”, thuhet në reagimin e zëvendësministrit.
Procedurat e mëtejshme pritet të sqarojnë përgjegjësinë e zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.



