Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, në margjinat e Samitit Ndërkombëtar të Drejtësisë në Stamboll, zhvilloi një takim bilateral me homologun e tij nga Shqipëria, Toni Gogu.
Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e komunikimit institucional, me synim avancimin e reformave që garantojnë një sistem drejtësie më efikas dhe më të qasshëm për qytetarët.
Vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të integrimit evropian dhe sfidave të përbashkëta në përmbushjen e standardeve evropiane, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Ministri Shasivari theksoi se marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve fqinje duhet të konkretizohen përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm institucional, shkëmbimit të praktikave të mira dhe koordinimit të përpjekjeve për avancimin e sistemeve të drejtësisë.
Bashkëpunimi institucional ndërmjet dy shteteve përbën një kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve evropiane dhe forcimin e sundimit të ligjit, në funksion të një drejtësie më të mirë për qytetarët.



