Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ka dënuar rastin e raportuar të keqtrajtimit të dy të rinjve nga komuna e tij gjatë një kontrolli policor në Saraj, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe llogaridhënie nga organet kompetente.
Përmes një statusi publik, Elmazi ka bërë të ditur se e ka ndjekur me vëmendje rastin, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjarët e të rinjve të përfshirë në ngjarje.
Si kryetar komune, ai theksoi se dënon çdo formë të dhunës dhe të tejkalimit të kompetencave zyrtare.
“Policia duhet të jetë gjithmonë mburojë e qytetarit, simbol i sigurisë, profesionalizmit dhe zbatimit të ligjit, kurrsesi burim frike apo pasigurie për të rinjtë tanë”, ka shkruar Elmazi.
Ai gjithashtu ka shprehur pritshmërinë që organet kompetente, përfshirë Kontrollin e Brendshëm dhe Prokurorinë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbardhur plotësisht rastin.
Sipas Elmazit, llogaridhënia dhe respekti ndaj qytetarëve janë thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të drejtë.
Rasti ka nxitur shqetësim lidhur me sjelljen e zyrtarëve policorë dhe nevojën që çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës të hetohet në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.



