Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka deklaruar se pretendimet për dhunë policore ndaj dy qytetarëve më 7 tetor në Shkup duhet të zbardhen plotësisht, duke theksuar se në rast të konstatimit të shkeljeve, përgjegjësit do të përballen me masa përkatëse.
Përmes një statusi, Iseni bëri të ditur se rasti po hetohet nga Kontrolli i Brendshëm, ndërsa theksoi se çdo keqpërdorim i autoritetit policor cenon besimin e qytetarëve dhe dinjitetin e institucionit.
“Uniforma është përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët dhe për t’i shërbyer ligjit. Çdo keqpërdorim i autoritetit cenon besimin dhe dinjitetin e institucionit”, ka theksuar Iseni.
Ai nënvizoi se angazhimi i institucioneve është për një polici që vepron me profesionalizëm dhe mban përgjegjësi për veprimet e saj.
Sipas zëvendësministrit, transparenca dhe llogaridhënia janë elemente thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve te policia.
Iseni gjithashtu premtoi se qytetarët do të informohen me kohë për rezultatet e hetimit dhe masat që do të ndërmerren lidhur me rastin.
Hetimi pritet të sqarojë rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojë nëse gjatë veprimeve policore ka pasur shkelje.



