Projekti për zgjerimin dhe zhvillimin e Bulevardit “Cvetan Dimov” ka hyrë në një fazë konkrete të realizimit. Në terren kanë dalë ekipet e Komunës së Çairit, së bashku me ekspertë gjeodezikë, për përcaktimin e saktë të trasesë së bulevardit, një hap i rëndësishëm drejt realizimit të projektit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e ka cilësuar nisjen e punës në terren si dëshmi se projekti po kalon nga planet dhe premtimet në veprime konkrete.
“Për mua, ky është më shumë se një projekt infrastrukture. Është përmbushja e një premtimi dhe realizimi i një nevoje të kahmotshme të qytetarëve”, deklaroi Mexhiti.
Zgjerimi i Bulevardit “Cvetan Dimov” synon të përmirësojë qarkullimin dhe lidhjen e Çairit me Butelin, Shutkën dhe komunat përreth, duke ndërhyrë në një nga segmentet e rëndësishme të infrastrukturës rrugore në këtë pjesë të Shkupit.
Gjatë punimeve në terren, sipas Mexhitit, qytetarët kanë shprehur mbështetje për projektin, i cili shihet si një ndërhyrje e nevojshme për lehtësimin e komunikacionit dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore.
Mesazhi i kryetarit të Çairit është i qartë: projektet nuk maten me premtime, por me punën që shihet në terren.
“Premtimet kanë vlerë vetëm kur shndërrohen në punë konkrete. Bulevardi ‘Cvetan Dimov’ po kalon nga premtimi në realizim”, tha Mexhiti.
Me përcaktimin e trasesë, projekti hyn në një fazë të re të punës, ndërsa procesi në terren shënon një tjetër hap drejt realizimit të zgjerimit të bulevardit dhe përmirësimit të infrastrukturës në Çair.



