Autostrada Shkup–Bllacë ka hyrë në fazën e realizimit konkret, ndërsa sot është vendosur gurthemeli për nisjen e punimeve të fazës së dytë të projektit.
Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e ka cilësuar projektin si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
“Është rruga që lidh Shkupin me Prishtinën. Dy kryeqendra, dy ekonomi, mijëra familje, biznese e njerëz që çdo ditë lëvizin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, është shprehur Mexhiti.
Sipas tij, autostrada nuk përfaqëson vetëm një projekt rrugor, por edhe një lidhje më të fuqishme ekonomike dhe infrastrukturore mes dy vendeve.
“Sot nuk flasim për atë që do të bëhet. Sot e nisëm!”, ka deklaruar Mexhiti, duke theksuar se puna konkrete është dëshmia më e mirë e rezultateve të përfaqësimit politik.



