Fëmija dyvjeçar, i cili u plagos gjatë natës së Vitit të Ri, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e lëndimeve shumë të rënda në tru të shkaktuara nga një trup i huaj metalik. Prokuroria ka lëshuar urdhër për kryerjen e autopsisë së trupit të fëmijës.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot ka bërë të ditura detaje për rastin.
“Më 01.01.2026, menjëherë pas mesnatës, në orën 00:58, është raportuar se në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, në gjendje shumë të rëndë dhe me një trup të huaj në kokë, është sjellë një fëmijë dyvjeçar nga Shkupi”, njoftojnë autoritetet.
Menjëherë pas raportimit, zyrtarë policorë kanë zhvilluar një bisedë zyrtare me nënën e fëmijës.
“Nëna G.D. (21) ka deklaruar se më 31.12.2025, para mesnatës, kishte dalë me fëmijën para oborrit të shtëpisë në lagjen Gazi Babë të Shkupit. Duke parë fishekzjarrë, ka dëgjuar një zhurmë, pas së cilës ka vërejtur gjak nga koka e fëmijës”, thuhet në raportin policor për rastin.
Në stacionin policor është zhvilluar bisedë zyrtare edhe me babanë e fëmijës, M.A. (26). Sot në mëngjes, në orën 01:58, siç informojnë nga policia, fëmija ka ndërruar jetë dhe mjeku ka konstatuar vdekjen.
Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se për shkak të dëmtimit të rëndë, mjekët nuk ka pasur mundësi për ndërhyrje kirurgjike.
“Fëmija u pranua në Qendrën e Urgjencës dhe, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u transferua për trajtim në Klinikën e Neurokirurgjisë, në repartin e kujdesit intensiv. Ai u intubua, u vendos në ventilim mekanik, iu administrua terapi antibiotike dhe antiedematoze, si dhe ishte nën monitorim të vazhdueshëm 24-orësh. Shkalla e dëmtimit të indit trunor nuk lejoi ndërhyrje kirurgjikale. Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, përfundimi ishte tragjik”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.



